venerdì 27 gennaio 2012

princat ma me za te kohes

Për me e sigurue Skënderbeu pozitën e vet e me i vu një pritë të qëndrueshme sulmeve turke, grishi në Lezhë, vjetin 1444, të gjithë princat e krenët e Shqipnisë, të cilët tuj pasë shpresë të gjallë në zotsinë e tij, e tuj e pa nevojën e një marrveshje rranen me shumicë. Ma në shenj ndër ta qenë Gjergj Arjanit Komneni, princi i Kaninës; Andre Topija, stërnip i Karl Topisë, princ i krahinës ndërmjet Krujës e Durrsit; Teodor Koronë Muzaka, princ i Beratit, me disa princa tjerë të Myzeqesë; Pal Stres Balsha, princ i Arbnit; Pal e Nikollë Dukagjini, princa të Pultit t'Epër, princnija e të cilve zgjatej prej Drinit në Kosovë e deri në kufij të Serbisë; Lekë Zaharija, princ i Dejës; Pjetër Shpani, princ i Pultit të Poshtër; Lekë Dushmani, princ i Zadrimës; Shtjefen Cernoviqi, princ i Zetës, edhe princa tjerë toskë e gegë. Në këtë mbledhje u formue Lidhja e Princave Shqiptarë e Skënderbeu u zgjodh një zani kryetar i saj e kryegjeneral i ushtrisë së federatës. Gjergj Arjaniti u lidh me i pague kryevjeti trillash të caktueme, mbas fuqisë që kishin, U fol me u caktue edhe ndihma ushtarake, por Skanderbegu u shpreh se nuk donte me i randue mbasi mundi me perba prej nënshtetasve të vet një fuqi të mjaftueshme me i ba ball Turkut; ndihmën e tyne e donte vetëm ndër raste të jashtzakonshme. (14) Pak mbas kësaj mbledhje Skënderbeu, bashkoj ushtrinë në Kashar, katund në Tiranën e Vogël, e ba rasenjen, gjeti se numri i tyre mbrrinte në pesëmbdhetë mijë, domethanë gjashtë mijë kambësorë, e shtatë mijë kalorës të mbledhun prej vendeve të shtetit të vet, e dy mijë, gjysa kambësorë e gjysma kalorës të dërguem prej Aleatve. Sigurisht se po të donte, kishte mundë me bashkue edhe aq ushtarë prej shtetit të vet, që kishte gëzue paqen për do vjet të mira e prej princave që kishin vu shpresë të madhe në të, por me aq ushtri ai e dinte vedin ngadhnjyes mbi Turki. Ushtrija e tij e zakonshme në rast lufte mbrrinte deri në tetëmbëdhetë mijë vetë, gjysa kalorsi e gjysma kambësori, posë një numrit të mirë që linte në roje të fortesave e për siguri të qetsisë së vendit. Tri të katërta të kësaj ushtrije ishin nënshtetas të tij, tjetra gjithfarësh. Në zyra të nalta ushtarake ishin edhe shumë djem, princash e zotnish, që vullnetarisht kishin hy në shërbim të tij, si Dukagjinas, Shpanaj, Muzakaj, Topiaj, Gropaj e Balshaj. Këta të gjithë, si edhe ushtarët, ishin të rroguem mirë, mbas gradës që kishin, e kur ndonjani u ndante në shenj për trimni a besnikni, Skënderbeu i lshonte edhe prona të mëdha.

Nessun commento:

Posta un commento